Adriatik Kelmendi: Politikanët shkojnë e vijnë, populli shqiptar është i përjetshëm, në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që është

Gazetari Adriatik Kelmendi, ka thënë se edhe po të mos ishte ftesa për këngëtarin Goran Bregoviç, shqiptarët do të shpiknin një situatë tjetër për ta sharë njëri-tjetrin.
Ai ka thënë se përkundër që kryeministri shqiptar Edi Rama është arrogant dhe menaxhimin e “Ballkanit të hapur” nuk e ka bërë kurrqysh, ky i fundit “shumë politikanë të rajonit dhe më gjerë i mban në xhepin e vogël të këmishës me lara”.

Sipas Kelmendit, Kosova ka arritje të shkëlqyeshme të individëve, ndërsa Shqipëria ka ecur larg në aspekt shtetëror.Ai ka theksuar shqiptarët në përgjithësi duhet ta komplementojnë njëri-tjetrin, jo ta pengojnë, pasi këtë e bëjnë të tjerët.Reagimi i Kelmendit në Facebook:
Kam përshtypjen se edhe mos të dilte Goran Bregoviqi shqiptarzeza do ta shpikte një situatë vetëm për ta sharrë njëri-tjetrin. Thuajse pak na shajnë e na nënçmojnë të tjerët. Ta mbyllim më këtë episod të shëmtuar.

O legjendarë shkurtpamës, po a e dini që për shumicën e Evropës shqiptarët si në Kosovë e si në Shqipëri shihen si dele të zeza?!Kjo do të duhej të na afronte dhe jo të zmadhojmë situata për t’u ndarë. Ku jemi nisur kështu?Kujt i konvenon kjo?
Sigurt nuk i konvenon atyre që flasin shqip, por shumë të tjerëve po.
Kosova dhe Shqipëria, shqiptarët në përgjithësi duhet ta komplementojnë njëri-tjetrin, jo ta pengojnë, se boll na pengojnë të tjerët.

Derisa Kosova ka arritje të shkëlqyeshme të individëve, Shqipëria ka ecur larg në aspekt shtetëror.
Kosova krenohet sot me të artat olimpike të Majlindës, Norës dhe Distrias, me vendet e para muzikore dhe shpërblimet e Dua Lipës, Rita Orës, Era Istrefit, Dardan Regard Aliut, me futbollistë si Gjerdani e Miloti me shumë shokë, me arritjet në fushën e filmit e shumëçka tjetër. Edhe Shqipëria me të drejtë gëzohet për këto suksese të shqiptarëve të Kosovës.

Mirëpo, Kosova ka kohë që çalon në rrafsh ndërkombëtar. Është i vetmi vend evropian pa liberalizim vizash, i vetmi pa perspektivë të qartë integruese evropiane, njohjet janë ndalur fare dhe në ndërkohë kurrë më të përkeqësuara s’i kemi pasur raportet as me fqinjët, e as me BE dhe SHBA. Politika kosovare është në regres të pakrye. Të dobët e të izoluar sillemi si mbret të botës! Kjo është diagnozë psikike!

Shqipëria, në anën tjetër, ka rreth 10 vjet që lëvizë lirshëm në Evropë, ka mbi 10 vjet që është anëtare e NATO-s, ngadalë por sigurt po kthehet në top destinacion turistik, Tirana është transformuar në një metropol për lakmi. Është kënaqësi kur edhe shqiptarët e Kosovës me të drejtë krenohen me këto arritje të Shqipërisë.A kemi të meta? Si në Kosovë dhe në Shqipëri? Kemi me tonelata të meta. Por ato boll po përdoren nga armiqtë e shqiptarëve për të na mbajtur larg. A duhet edhe ne t’ua ndihmojmë?! Se atë shpesh po e bëjmë, me ose pa vetëdije! Miopëri!Tingëllon si klishe, por kush s’e ka kuptuar se sa më e fortë Shqipëria aq më e fortë Kosova, si dhe anasjelltas, nuk merr vesh gjë, ose ka agjendë të rrezikshme.

Dashni!
P.S. 1: Ka plot të meta edhe Edi Rama, është tepër arrogant, edhe menaxhimin rreth Open Balkans nuk e ka bërë kurrqysh, ndoshta do t’i kthehet bumerang, mirëpo edhe është fakt që shumë politikanë të rajonit dhe mbase edhe më gjerë t’i mban në xhepin e vogël të këmishës me lara!
P.S. 2: Politikanët shkojnë e vijnë, populli shqiptar është i përjetshëm, në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që është.

Be the first to comment on "Adriatik Kelmendi: Politikanët shkojnë e vijnë, populli shqiptar është i përjetshëm, në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që është"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*