As me Trump, as me Biden: Qeveria Kurti e refuzon marrëveshjen e Washingtonit që u përkrah nga të dy

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti po vazhdon të mbajë qëndrim kundër marrëveshjes së arritur në Washington midis Kosovës dhe Serbisë, në prezencë të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Kështu së paku ka deklaruar zëdhënësi i kësaj qeverie, Përparim Kryeziu në një prononcim për EO. Në anën tjetër, marrëveshja e Washingtonit është përkrahur edhe nga administrata e presidentit të ri të SHBA’ve, Joe Biden, por kjo s’po e bind qeverinë Kurti për ligjshmërinë e marrëveshjës.

Në një deklarim lidhur me marrëveshjen e Washingtonit, Sekretari i Shtetit i SHBA’ve, Antony Blinken kishte deklaruar se e duartroket punën e bërë në çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

“Sa për punën që është bërë në rastin e Kosovës dhe Serbisë, unë e duartrokas këtë. Siç e dini, presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka shpenzuar shumë kohë në këto vende në të kaluarën. Unë besoj se ai ndan bindjet e juaja se ka gjëra që ne mund t’i bëjmë që ta ndihmojmë Kosovën të ecë përpara, po ashtu shpresojmë që kjo të ndodhë edhe me Serbinë”, kishte thënë Blinken.

Në anën tjetër, edhe ambasadori i SHBA’ve në Kosovë, Philipp Kosnett gjithashtu kishte thënë se Biden e përkrah marrëveshjen e Washingtonit dhe e sheh si bazë për punën përpara.

“Administrata e Biden-it ka konstatuar edhe zyrtarisht që Marrëveshjet e Washingtonit duhet të jenë bazë për punën tonë përpara. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet t’u përmbahen këtyre zotimeve dhe të punojnë së bashku”, ka thënë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, në një intervistë për Radio Televizionin 21

E zëdhënësi i VV’së, Përparim Kryeziu ka thënë se po e përcjell një qëndrim të kahmotshëm të kryeministrit Kurti. Ai e ka quajtur marrëveshjen e Washingtonit dokument pa vlerë juridike.

Sipas Kryeziut, qeveria në nënshkrimin e marrëveshjes ishte pa legjitimitet.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”. ka thënë Kryeziu për EO.

Kjo marrëveshje e arritur në Washington ishte kundërshtuar fuqishëm nga kryeministri Kurti aso kohe. Ai kishte thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ishte shkelje kushtetuese.

“Kur të kthehemi në detyrë, nuk kemi obligime ndaj zotimeve të një kryeministri të paligjshëm të Kosovës. Nënshkrimi poshtë teksteve jokoherente dhe jotransparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë”, kishte shkruar Albin Kurti.

Be the first to comment on "As me Trump, as me Biden: Qeveria Kurti e refuzon marrëveshjen e Washingtonit që u përkrah nga të dy"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*