Bislimi: Priten masa të tjera të reciprocitetit, targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022

Qeveria e Kosovës ka thënë se më 2 tetor, fillimisht ushtarët e KFOR-it do të vendosen në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë para se të largohen njësitë speciale të Policisë të Kosovës dhe largimi i barrikadave nga serbët lokalë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i delegacionit kosovar në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova tashmë ka të gatshme 300 mijë pako me nga katër letra ngjitëse që do të fillojnë t’ua vendosin veturave nga Serbia, që nga 4 tetori.

Bislimi ka thënë se Serbia ka krijuar tensione në veri të cilat kanë alarmuar bashkësinë ndërkombëtare. Ai ka thënë se në të ardhmen është e logjikshme të priten masa tjera të reciprocitetit. Ai ka shtuar se targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022.

Duke folur për projektin e gazit të mbështetur nga administrata amerikane Bislimi ka thënë se: “Kosova nuk është tërhequr nga procesi i gazit. Kosova ka kërkuar kohë që të marrë një vendim të kualifikuar”.

A mund të na tregoni si do të ndodhë zhbllokimi i pikave kufitare? Kush do të tërhiqet e para, policia apo barrikadat?

Bislimi: Zhbllokimi është paraparë për ditën e nesërme (e shtunë, 2 tetor). Paraprakisht duhet njësit i KFOR-it të vendoset në vendkalimet kufitare dhe në bashkëveprim me njësitë speciale të Policisë së Kosovës të informohen për të gjitha elementet që janë të nevojshme për të siguruar stabilitetin e vendkalimeve kufitare dhe sigurinë e tyre.

Pastaj, pasi të jenë kryer të gjitha këto proceduar, në orën 08:00 është paraparë që të fillojë zhvendosja e njëhershme edhe e barrikadës edhe e policisë speciale dhe me këtë kompletohet. Do të thotë, nuk ka sekuencë që njëra palë duhet të tërhiqet para tjetrës, por zhvendosja bëhet në mënyrë të njëkohshme. I vetmi dallim është që forcat e KFOR-it duhet të vendosen disa orë para se të fillojë zhvendosja e barrikadës dhe ndjesive speciale dhe po ashtu, ajo që është me rëndësi që ta përkujtojë secilën herë sesi duket, është burim i keqinterpretimeve të qëllimshme, kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin e policisë kufitare dhe policisë së rregullt. Kjo masë nuk i prekë ata. Ata vazhdojnë punën e tyre. Punën dhe funksionet e tyre nuk i kanë marrë përsipër njësitë speciale të policisë, ato kanë pasur për detyrë vetëm ruajtjen e pikave kufitare dhe qetësisë atje.

Kosova ka të gatshme 300 mijë pako me nga katër letra ngjitëse

A mund të ndodhë që të ketë ndonjë lëvizje më herët apo çdo gjë do të fillojë nesër në orën 08:00?

Bislimi: Nga ana jonë nuk ka tendenca për t’i zhvendosur afatet. Ajo që është me rëndësi të thuhet është se në rast se nuk respektohen afatet, atëherë marrëveshje konsiderohet si e pavlerë dhe pala e cila tregohet jobashkëpunuese do të jetë ajo e cila do të identifikohet si palë bllokuese e dialogut, por nuk ka ndonjë arsye, që të paktën nga ana e policisë, të fillojë zhvendosja. Barrikada është ilegale. Ajo mund të tërhiqet në çdo moment dhe vetëm se do e lehtësonte punën pastaj për nesër, por përndryshe nga ana e njësive speciale të policisë nuk ka kurrfarë arsye, edhe nuk ka logjikë që procesi të fillojë para se të bartet në mënyrë logjistike gjithçka te KFOR-i dhe para se të fillojë edhe tërheqja e barrikadës apo barrikadave.

A është Kosova e gatshme teknikisht ta zbatojë marrëveshjen? A janë gati letrat ngjitëse që do të vendosen në targa?

Bislimi: Kosova ka qenë e gatshme qysh moti. Kosova ka rreth 300 mijë stikersa (v.j. letra ngjitëse), kur po them 300 mijë stikersa po mendoj 300 mijë pako, për arsye se një pako i ka katër stikers, kaq sa nevojitën për secilën veturë për të mbuluar shenjat e shtetësisë dhe simbolet. Dhe këto mjaftojnë për të mbuluar qarkullimin gjashtëmujor ndërkufitarë. Edhe marrëveshja e përkohshme ka një afat prej gjashtë muajsh, kështu që pala jonë është komplet e përgatitur.

Be the first to comment on "Bislimi: Priten masa të tjera të reciprocitetit, targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*