Cili do të jetë pozicionimi i PDK-së për garën e balotazhit në Gjilan

Përfaqësuesit e të dy partive që ndodhen në garën e balotazhit në Komunën e Gjilanit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, jo zyrtarisht i kanë bërë ftesë Degës së Partisë Demokratike në Gjilan për marrëveshje koalicioni.

Sipas Riad Rashitit, ushtruesit të detyrës së kryetarit të Degës së PDK-së në Gjilan, pavarësisht prej kontakteve me të dyja subjektet që ndodhen në balotazh, dega ende nuk ka nxjerrë një vendim për këtë çështje.

Në një bisedë telefonike me Paparacin, ai ka thënë se PDK-ja në Komunën e Gjilanit është ende në fazën e konsultimeve rreth mundësisë së krijimit të një koalicioni që do të vlente për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Jemi në fazën e diskutimeve brenda degës lidhur me pozicionin e subjektit tonë politik rreth garës së balotazhit. Diskutimet nuk janë ende në fazë të avancuar dhe kësisoj na mbetet të konsultohemi tutje edhe me kryesinë qendrore para se të dalim me vendim”, ka deklaruar Rashiti për Paparacin.

Ai ka thënë se PDK-ja është duke pritur ftesa zyrtare për nisjen e negociatave me LVV-në dhe LDK-në në Gjilan.

“Kemi pranuar ftesë nga të dyja subjektet politike që ndodhen në balotazh, por kemi kërkuar nga ta që të dërgojnë ftesë zyrtare para nisjes së negociatave”, deklaroi Rashiti.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni siguroi 44.43 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Gjilanit, ndërkaq kryetari aktual, Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike, siguroi 43.81 për qind.

Të dy do të garojnë me njëri-tjetrin në raundin e dytë të zgjedhjeve, më 17 nëntor.

Be the first to comment on "Cili do të jetë pozicionimi i PDK-së për garën e balotazhit në Gjilan"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*