Deputeti i VV-së i reagon Abazit: Është dashur të flas me lidershipin e jo të shkruaj status

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka folur rreth reagimit të deputetit Haki Abazi, i cili nuk mori pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se arsyet ja ka përcjellur lidershipit të partisë.

Rexhaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është demokratike, andaj edhe secili deputet mund të jap mendimet e veta.

“Lëvizja Vetëvendosje është demokratike, deputetët tanë mund të japin mendimet e veta. Për shembull, nëse do të isha unë në vend të Hakiut, unë në vend të statusit, unë këtë veprim dhe këtë transmetim do ta bëja tek lidershipi dhe tek kryeministri Kurti, pa shkruajtur status. Së pari do ta bëja Grupit Parlamentar, pastaj brenda Lëvizjes Vetëvendosje e kështu me radhë”, ka thënë Rexhaj në Kanal10.

I pyetur nëse ka ndonjë shqetësim brenda Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhaj ka thënë se kjo nuk është e mundur, pasi që ka kaluar ajo kohë.

“Në asnjë mënyrë, ka kaluar koha kur Lëvizja Vetëvendosje ka ndonjë krizë nga brenda dhe mendoj se jemi grupi më i fuqishëm parlamentar me një lloj koerence e konsistence dhe natyrisht se kemi të drejtë ta shprehim mendimin. Unë tregova se si do të veproja unë, pasi që ne jemi deputetë dhe jemi kolegë, unë e kam mik z.Abazin, por ai e ka zgjedhur një rrugë më të shpejtë duke e bërë publike veprimin e tij”, ka thënë Rexhaj.

Në anën tjetër, deputeti Rexhaj ka mohuar edhe mundësinë se reagimi i Abazit vjen si rezultat i replikës me Kryetarin e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili dje nuk ia kishte ofruar mundësinë për të replikuar deputetit Abazi.

“Nuk e besoj, Hakiu e din më mirë është mirë ta pyesni atë, për besë nuk e di. Mua nuk më brengos ky status i Hakiut, për arsye se Hakiu i paska dërguar tek lidershipi, unë tregova çfarë do të bëja unë, ndërsa ai ka zgjedhur ta bëjë kështu”, ka thënë Rexhaj.

Ai ka thënë se deputeti Abazi është i hapur për mediat dhe mund të flas vetë për veprimin e tij.

Periskopi ka tentuar të kontakojë me deputetin Abazi por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatës.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se nuk është në dijeni për këtë situatë.

“Nuk jam në punë, jam në pushim dhe nuk jam në dijeni për këtë status të z. Abazit”, deklaroi Manxhuka për Periskopin.

Së fundi është vërejtur një pakënaqësi e deputetit të VV’së, Haki Abazi, në Kuvendin e Kosovës, ku gjatë seancës së djeshme kryeparlamentari, Glauk Konjufca, nuk ia lejoi një replikë Abazit ndaj deputetes Hykmete Bajrami.

“Haki je paraqitë, po s’pe di për cka. Po Haki, ajo u kanë kundër replikë, i ka pasë 60 sekonda Hykmetja, tash nuk kemi mundësi”, i tha Konjufca deputetit Abazi.

Be the first to comment on "Deputeti i VV-së i reagon Abazit: Është dashur të flas me lidershipin e jo të shkruaj status"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*