Elsona tregon dramën në familje: Babi e lidhte mamin në krevat me litar, e rrihte. Kalonim natën jashtë, na mbulonte mami me gjethe

“Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan priti në studio historinë e Elsonës, një vajzë e re 20-vjeçare. Në rrëfimin e saj të dhimbshme, ajo tregon historinë e familjes. Elsona është fëmija i dytë pas një djali dhe 2 djemve të tjerë pas saj. Martesa me shkuesi e nënës së saj, Angjelinës nuk ka qenë aspak e lumtur. U desh vetëm një vit që Angjelina të ishte viktimë e dhunës për shkak të alkoolit që bashkëshorti konsumonte.

Gjatë shtatzënisë me njërin nga djemtë, ai e ktheu te prindërit e saj ku nuk gjeti mbështetjen e duhur dhe nëna e Elsonës detyrohet të shkojë sërish te bashkëshorti. Asgjë nuk ndryshoi, Elsona tregon se ajo ka qenë dëshmitare e ngjarjeve të dhimbshme.

Elsona: Kanë filluar torturat që në atë kohë dhe ka pasur shumë raste që i kam parë vetë.

Ardit Gjebrea: I ke parë vetë? Ke qenë dëshmitare?

Elsona: Po, kam qenë dëshmitare. Ka qenë një rast, se babi sa herë pinte, vinte në shtëpi dhe i gjuante direkt mamit, shumë.

Ardit Gjebrea: Edhe në syrin tuaj?

Elsona: Po, i gjuante shumë dhe mami vetëm binte në tokë e nuk ndiente asgjë. Ka pasur raste e ka lidhur në krevat me litar, e rrihte shumë.

Ardit Gjebrea: Po ju çfarë bënit?

Elsona: Ne ishim të vegjël, unë mundohesha ndonjëherë të ikja fshehurazi ta zgjidhja mamin, të bëja ndonjë gjest, por ai më shtynte, më gjuante.

“Detyroheshim ta kalonim natën jashtë në fushat e misrit”, Elsona tregon historinë e dhimbshme

Elsona, e cila ka ardhur në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” për t’i dhënë një mesazh së ëmës, tregon edhe historinë e dhimbshme të familjes së tyre. Kur ishin ende të vegjël, për shkak të dhunës nga babai, i cili ishte i alkoolizuar, e ëma trembej dhe i merrte fëmijët në ara për të fjetur jashtë.

Ardit Gjebrea: Si e përjetonit ju momentet e kthimit të babait në shtëpi?

Elsona: Ne në fakt e përjetonim keq se qanim shumë që vinte ai, por mami im kur e merrte vesh që babi do të vinte na merrte dhe iknim të flinim përjashta, na mbante jashtë.

Ardit Gjebrea: Po ku përjashtë?

Elsona: Në Shkodër kemi qenë në një fshat ne dhe ka pasur fusha misri e na merrte na fshihte, në pemë, në mal, ajo kishte shumë frikë.

Ardit Gjebrea: Po si flinit, e kalonit natën në fushat e misrit, në bar?

Elsona: Po, e kalonim natën jashtë.

Ardit Gjebrea: Gjatë verës shpresoj, apo edhe në dimër?

Elsona: Jo, edhe në dimër, që ka qenë shumë ftohtë.

Ardit Gjebrea: Po si ia bënit, të flesh natën jashtë në dimër?

Elsona: Na mbulonte mami, me gjethe. E ëma kthehej në shtëpi rreth orës 4-5 të mëngjesit për të kontrolluar djalin e vogël, i cili ishte ende në djep, e më pas merrte fëmijët e tjerë.

Elsona i jep mesazhin mamasë në studio: Nuk duhet ta lëshosh veten, një ditë do të të kuptojme

Elsona ftoi në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” nënën e saj, Angjelinën, e cila është viktimë e dhunës nga bashkëshorti. Pas vitesh të tëra nën kthetrat e një martese të palumtur, të frikshme, ajo gjeti forcën për të marrë katër fëmijët e saj dhe të largohej nga Shkodra.

Me ardhjen në Tiranë, u përpoq të gjente një punë, të strehonte fëmijët, madje edhe t’i jepte një shans të fundit bashkëshortit përpara se të mbaronte gjithçka. Nga ana tjetër, djali i madh, tashmë në moshën 24-vjeçare, fatkeqësisht ka ndjekur hapat e të atit.

Por në fund është Elsona, e cila i kërkon së ëmës të gjejë forcën për të kaluar sepse në fund të ditës, ajo ka luftuar fort për të dhe vëllezërit e saj.

Elsona: Sa e bukur je bërë moj!

Angjelina: Faleminderit, shpirti i mamit!

Elsona: Shiko ma, unë nuk kam ardhur vetëm këtu, kam ardhur edhe për vëllezërit e mi, e ne të duam shumë ty. Pavarësisht se disa gjëra të mërzisin, por ti ke kaluar shumë gjëra në jetë dhe nuk duhet ta lëshosh veten kaq shumë. Je lodhur shumë për ne, ke bërë shumë për ne, por edhe ne do të vijë një ditë që do të rregullohemi, do të bëhemi më mirë, do të vijë një ditë që do të të kuptojmë, se tani jo se nuk të kuptojmë, unë të kuptoj shumë mirë. Por është edhe pak mosha jonë. Ty mami, të ka mërzitur shumë vëllai i madh, të ka shqetësuar gjendja pse ai po bën fiks si babi, por ti duhet të mendosh që duhet ta kalosh edhe këtë gjë, siç e ke kaluar më parë. Edhe unë të kam mërzitur…

Ardit Gjebrea: Po ti për çfarë e mërzit mamin?

Elsona: Unë e dëgjoj mamin, por ndonjëherë nga frika se mos më bërtet, nuk ia them një gjë tamam.

Ardit Gjebrea: Por këto janë gjëra të vogla, ne duhet të rregullojmë ato të mëdhatë, të vëllait, që shpresoj se është duke na parë tani dhe të reflektojë sadopak sepse ai nuk do të ishte në këtë jetë po të mos ishte mami yt dhe ai duhet të kuptojë të gjithë sakrificën që bën mami, se si e ka rritur, se si është kujdesur për të, se si e ka shpëtuar shpesh herë nga babi dhe që ai nuk duhet të bëjë të njëjtën gjë. Në qoftë se i duhet ndihmë, ne jemi të gjithë këtu për ta ndihmuar sepse ne jetën e bëjmë bashkë./m.j

Be the first to comment on "Elsona tregon dramën në familje: Babi e lidhte mamin në krevat me litar, e rrihte. Kalonim natën jashtë, na mbulonte mami me gjethe"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*