Gjermania në betejë për të shpëtuar të mbijetuarit nga vërshimet, mbi 1 mijë persona janë të zhdukur

Reshjet në Evropën Qendrore dhe Perëndimore gjatë së shtunës janë ndalur, teksa ekipet e shpëtimit po tentojnë t’i shpëtojnë të mbijetuarit nëpër gërmadhat e shtëpive të goditura nga vërshimet

Ekipet e shpëtimit të shtunën ndodheshin në garë me kohën, për të gjetur të mbijetuarit e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, që e kanë tronditur Evropën Perëndimore, duke i lënë të vdekur më shumë se 150 persona.

Më shumë se 1 mijë persona janë të zhdukur pas rekordit të reshjeve të shiut që nxitën përmbytje të mëdha në Gjermani dhe Belgjikë. Nga moti i lig janë përfshirë edhe Zvicra, Luksemburgu dhe Holanda. Kryeministri holandez të shtunën ka shpallur gjendje fatkeqësie në rajonin jugor.

Puna e ekipeve të shpëtimit është vështirësuar nga kushtet e rënda. Liderët evropianë për motin ekstrem të javës së fundit i kanë fajësuar ndryshimet klimatike. Ekspertët kanë tërhequr vërejtjen se kriza klimatike do ta shpeshtojë motin ekstrem gjatë viteve të ardhshme.

“Mendoj se është pasojë e ndryshimeve klimatike, sepse nuk është gjë normale. Ka rënë shumë herë shi, mirëpo jo kështu. Nuk mund ta sqaroj. Nuk e dimë se si ishte e mundur, por nuk dua të jetoj më këtu”, ka thënë Myriam Daraji, banore e Pepinsterit në Gjermani.

Në Gjermani, linjat telefonike janë shkëputur, rrugët janë dëmtuar rëndë, ndërkaq më shumë se 100 mijë shtëpi janë pa energji elektrike.

“Nuk prisni që njerëzit të vdesin nga përmbytjet në Gjermani. Mund të ndodhë nëpër vendet e varfra, por jo këtu në Gjermani. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, ka thënë Monica Decker, banore e Arloffit.

Punën e ekipeve të shpëtimit që nga e premtja e kanë vështirësuar edhe qindra njerëz që kanë udhëtuar drejt vendeve të goditura për të parë situatën.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se ishte i tmerruar nga shkatërrimi, të cilin e pa me sy gjatë së shtunës kur vizitoi rajonet më të goditura nga përmbytjet.

“Krejt vendi është shkatërruar. Shumë njerëz kanë humbur atë që e kanë ndërtuar gjatë jetës së tyre”, ka thënë Steinmeier.

Pol icia gjermane është detyruar që të bëjë thirrje kundër udhëtimeve në vendet e goditura nga katastrofa natyrore. Në Gjermani llogariten të zhdukur 1 mijë e 300 persona, por autoritetet janë shprehur të bindur se shifra do të bjerë me gjetjen e të mbijetuarve.

Shtetet gjermane, si North Rhine-Westphalia, Rhineland-Palatinate dhe Saarland, janë më të goditurat nga katastrofat natyrore.

Në qytetin Ahrweiler të Rhineland-Palatinate, zyrtarët kanë thënë se 1 mijë e 300 njerëz mungojnë që nga e premtja.

Roger Lewentz, ministër i Brendshëm i Rhineland-Palatinate, ka thënë për mediat lokale se numri i të vdekurve mund të rritet gjatë ditëve të ardhshme. “Nëse nuk dëgjojmë nga njerëzit për një kohë të gjatë… duhet të frikësohemi për më të keqen”, ka thënë ai.

Shkencëtarët kanë kritikuar politikanët për dështimin që t’i mbrojnë qytetarët nga moti ekstrem, siç janë vërshimet në Evropën Qendrore dhe Veriore dhe i nxehti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për një kohë të gjatë kanë tërhequr vërejtjen se shiu i rrëmbyeshëm i verës dhe temperaturat ekstreme do të shpeshtohen shkaku i ndryshimeve klimatike të nxitura nga njeriu.

Be the first to comment on "Gjermania në betejë për të shpëtuar të mbijetuarit nga vërshimet, mbi 1 mijë persona janë të zhdukur"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*