Lajmi i fundit: Messi dhe Barcelona arrijnë marrëveshje më në fund

Lionel Messi dhe Barcelona kanë arritur marrëveshje pesëvjeçare, pas bisedimeve të gjata disa mujore, sipas gazetës së afërt me klubin Mundo Deportivo. Barça pritet ta bëjë zyrtare ujdinë në dy ditët e ardhshme, sapo ta marrë dritën e gjelbër nga La Liga.

Messi ka qenë lojtar i lirë që prej 1 korrikut, kur i mbaroi marrëveshja e deritanishme me klubin, por ai ka vendosur t’ia përkushtojë edhe vitet e mbetura të karrierës klubit që e quan shtëpi, raporton Gazeta Express.

34-vjeçari, i cili së fundmi e fitoi trofeun e parë të madh në karrierë me Argjentinën duke e humbur Brazilin në finale të Kupës së Amerikës, ka nënshkruar me Barcelonën deri në vitin 2026, sipas të përditshmes katalonase.

Barcelona pritet ta bëjë zyrtare marrëveshjen të enjten apo të premten, sapo ta marrë dritën e gjelbër nga La Liga për regjistrimin e Messit si lojtar të vetin.

Messi ka pranuar ulje drastike të pagës për ta nënshkruar marrëveshjen e re me Barçën, duke e ditur se klubi përballet me telashe serioze me ligjin e La Ligas për paga, i cili ua kufizon klubeve faturën e pagave të lojtarëve.

Barça është klubi më pagat më të larta në Spanjë dhe i është kërkuar ta kufizojë dukshëm faturën e pagave, ndryshe nuk do të mundë t’i regjistronte lojtarë e rinj, përfshirë Messin.

Messi do të ketë klauzolë lirimi në vlerë prej 600 milionë eurove dhe do të paguhet përgjysmë më pak se deri tani, sipas Mundos. Kjo është ulje drastike e pagës, prej 50%, nga marrëveshja e kaluar, e nënshkruar më 2017, nga e cila Messi i përfitonte 100 milionë euro në vit.

Barcelona nuk pret që Messi të qëndrojë në klub deri në përfundim të marrëveshjes, prandaj marrëveshja deri më 2026 nënkupton se ai do të jetë ambasador i klubit në Shtetet e Bashkuara pasi të largohet nga klubi për ndonjë klub të MLS-së.

Be the first to comment on "Lajmi i fundit: Messi dhe Barcelona arrijnë marrëveshje më në fund"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*