Macron pyeti Kurtin, çfarë mund t’i jepni Serbisë në këmbim të njohjes? Kryeministri: Çështja është kur do të jetë Serbia e gatshme të na njoh?

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Paris, ku u prit nga presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka dhënë intervistë për gazetën franceze “Le Monde”.

Në intervistë, kryeministri Kurti ka theksuar se prioriteti i tij diplomatik është të fitojë njohje nga Serbia, diçka që Beogradi vazhdimisht e ka refuzuar.

Në vijim intervista e plotë e kryeministrit Kurti dhënë gazetarit Rémy Ourdan të “Le Monde”, dërguar nga Zyra e kryeministrit.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, bëri vizitën e tij të parë në Francë, të mërkurën, më 23 qershor. Z. Kurti është një ish-aktivist i krahut politik të guerilës kosovare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ishte mbajtur i arrestuar për dy vjet në Serbi. Pastaj krijoi Lëvizjen Vetëvendosje! (“Vetëvendosja”), me program revolucionar, dhe ai është bërë një kundërshtar i vendosur i “qeverive të njëpasnjëshme të komandantëve të UÇK-së”.

Albin Kurti paraqitet sot si një socialdemokrat dhe u zgjodh me platformën për të luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pas një periudhe të shkurtër të parë si kryeministër në vitin 2020, lëvizja e tij fitoi qartë zgjedhjet legjislative në muajin mars, dhe ai u kthye në krye të qeverisë më 22 mars.

Trembëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, prioriteti i tij diplomatik është të fitojë njohjen nga Serbia, diçka që Beogradi ka kundërshtuar ta bëjë që nga konflikti.

“Le Monde”: Sapo keni takuar për herë të parë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel. Cila ishte përshtypja juaj?

Ky është takimi i parë për një dialog të ardhshëm. Nuk ishte i lehtë, por ishte konstruktiv. Unë insistova në faktin se asgjë nuk duhet të fshihet nën qilim, që do të thotë që çështja e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohet sinqerisht. Ne të gjithë kemi nevojë për këtë njohje të ndërsjellë. Z. Vuçiq u përgjigj se ai kurrë nuk do ta njihte Kosovën. Mos pranimi i realitetit nga njëra anë, as e vërteta nga ana tjetër, vjen nga e njëjta logjikë. Serbia tani duhet të distancohet nga ditët e [Sllobodan] Millosheviqit, që filluan me aparteidin dhe përfunduan me gjenocid në Kosovë. Udhëheqësit e Serbisë duhet të largohen nga trashëgimia e Millosheviqit.

Pavarësia e Kosovës është trembëdhjetë vjeçare. Ne nuk mund të kemi bisedime si para vitit 2008. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2010, i cili vërtetoi që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtar, ky debat është mbyllur. Unë nuk do të bisedoj për statusin e Kosovës, kjo është një çështje e zgjidhur. E vetmja temë sot janë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vuçiqi duhet ta kuptojë këtë. Sidoqoftë, Vuçiqi ende e konsideron Kosovën si një territor që Serbia duhet një ditë ta rimarrë, pa ndonjë konsideratë për njerëzit e saj, qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj dhe të demokratizohet.

‘Le Monde”: Konkretisht, si mund të avancojë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë?

Në Bruksel, unë bëra katër propozime. I pari është reciprociteti i të drejtave të pakicave serbe dhe shqiptare në secilin vend. I dyti është një “deklaratë e paqes”, duke u zotuar të mos sulmojmë njëri-tjetrin kurrë më ushtarakisht, veçanërisht në një kohë kur Beogradi po blen armë nga Rusia; por Vuçiqi menjëherë refuzoi. I treti është që çështja e të zhdukurve të luftës të bëhet çështje me përparësi. Dhe i katërti është lëvizja drejt një marrëveshjeje rajonale të tregtisë së lirë.

“Le Monde”: Ky dialog serbo-kosovar po zhvillohet nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian. dhe nga pala amerikane. Pasi administrata Trump dëshironte shkëmbime territoresh midis Serbisë dhe Kosovës, a shihni ndryshim diplomatik që nga zgjedhja e Joe Biden?

Be the first to comment on "Macron pyeti Kurtin, çfarë mund t’i jepni Serbisë në këmbim të njohjes? Kryeministri: Çështja është kur do të jetë Serbia e gatshme të na njoh?"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*