“Mosmarrëveshja Kosovë – Serbi alarmon NATO-n”, çfarë shkruan gazeta gjermane

Kosova së fundmi e ka ndaluar hyrjen e automjeteve me targa serbe në vend – anasjelltas, Serbia e ka bërë të njëjtën gjë me vite. BE-ja bën thirrje për shtensionim, raporton gazeta e njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung.

Së voni, kur lidershipi i NATO-s ndërhyu, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me më shumë sesa thjesht targa. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Mbrojtjes, nuk iu drejtua protestuesve që i kanë bllokuar dy pikëkalimet kufitare midis Serbisë dhe Kosovës për më shumë se një javë, por qeverive në kryeqytete: “Beogradi dhe Prishtina”, kërkoi ai , do të duhej të “përmbahen dhe ta rifillonte dialogun”.

Shkaktari për përshkallëzimin e fundit ishte një vendim nga qeveria në Prishtinë, sipas së cilit shoferët kur kalojnë në anën e Kosovës duhet ta vendosin një targë lokale të vlefshme përkohësisht. Natyrisht, kjo një kundërpërgjigje për praktikën e gjatë të qeverisë në Beograd për t’i detyruar shoferët kosovarë në anën e tyre të kufirit t’i përdorin targat serbe.

Pasi anëtarët e pakicës serbe në Kosovën veriore filluan ta bllokojnë kufirin me kamionë në shenjë proteste kundër vendimit të ri për targat, Kosova dërgoi njësi speciale të policisë në atë rajon. Beogradi pastaj shtoi trupat e ushtarëve pranë kufirit dhe bëri që avionët ushtarakë të fluturonin mbi atë zonë.

Përshkallëzimi është një katastrofë për Bashkimin Evropian. Pas fundit të administratës së Donald Trump në SHBA, e cila kishte nxitur trazira me simpati të hapur për planet e shkëmbimit të zonave përgjatë kufirit kosovaro-serb, shpresat në fakt u rritën në Bruksel se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit mund të ringjallej. Përfaqësuesi i BE-së për çështjet e jashtme, Josep Borrell u bëri thirrje të dyja palëve që ta “shtensionojnë pa kushte” situatën, shkruan Süddeutsche Zeitung.

Të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i priti në takim ambasadorët nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe SHBA-ja, të cilët thuhet se i kërkuan atij që ta shtensionojnë situatën në kufi. Ai pastaj tha në një intervistë televizive se në bisedë me “ambasadorin e një prej vendeve më të fuqishme në botë” (emrin e të cilit ai nuk e tha), ishte bërë “emocional” herë pas here: “Ju doni të më tregoni se ku njësitë tona lejohet të lëvizë brenda territorit tonë? A je normal, njeri?”. Në një deklaratë zyrtare, Vuçiq kishte deklaruar se është akoma i përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, por tha se në asnjë mënyrë nuk do ta pranonte “poshtërimin e Serbisë dhe qytetarëve të saj”.

Misioni paqësor ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO, KFOR ka rritur ndërkohë patrullimet rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore, transmeton GazetaSinjali,/

Be the first to comment on "“Mosmarrëveshja Kosovë – Serbi alarmon NATO-n”, çfarë shkruan gazeta gjermane"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*