Propozimi i Lumir Abdixhikut, kjo është përgjigja e Qeverisë së Albin Kurtit

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti e mbështet propozimin që të shkurtohet fushata e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që sot doli me ftesë publike drejtuar Albin Kurtit në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi dhe atij të AAK-së Ramush Haradinaj që të bëhen bashkë dhe të ndërtojnë një pakt zgjedhor që fushata zgjedhore të zgjasë vetëm 10 ditë dhe jo 30, si e parasheh ligji.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se sikurse në Qeverinë Kurti 1 ata janë të hapur për bashkëpunim.

Madje, ai e ka ripërsëritur edhe një herë deklaratën e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia i cili tha se bashkëpunimi nënkupton edhe mospengimin e përpjekjeve të qeverisë për menaxhimin e pandemisë.

“Ne mbështesim propozimin që fushata zgjedhore të jetë sa më e shkurtër, varësisht nga rekomandimet e IKShPK-së. Beteja me pandeminë është betejë e përbashkët sepse të gjithë përballemi me të njëjtin rrezik, pa dallim. Prandaj, sikurse në Qeverinë Kurti 1, ne jemi të hapur për bashkëpunim. Por, siç ka deklaruar dje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkëpunim është edhe atëherë kur nuk pengohen përpjekjet e qeverisë për menaxhimin e pandemisë, edhe atëherë kur nuk përhapen dezinformata për vaksina dhe afatin e tyre, e edhe kur respektohen masat e qeverisë. Andaj, le të fillojmë nga kjo formë e bashkëpunimit”, ka thënë Kryeziu.

Be the first to comment on "Propozimi i Lumir Abdixhikut, kjo është përgjigja e Qeverisë së Albin Kurtit"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*