Qeveria: Nuk e kemi refuzuar projektin për tubacionin e gazit natyror në Kosovë

Qeveria e Kosovës, përmes zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, kanë demantuar raportimet se është refuzuar projekti i MCC-së për tubacionin e gazit natyror në Kosovë.

Kryeziu, në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, tha se që nga konferenca e Ministres së Ekonomisë nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth projektit të tubacionit të transmetimit të gazit natyror që është kthyer prej javësh në çështje diskutimi në vend.

“Jo, nuk është e vërtetë. Nuk ka asgjë të re që nga konferenca për media të cilën e ka mbajt sot Ministrja Rizvanolli ku i ka sqaru të gjitha detajet rreth çështjes”, tha Kryeziu, i pyetur nëse ekzekutivi i udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti kanë marrë vendim që Qeveria e Kosovës të refuzojë projektin e Korporatës Financiare të Mijëvjeçarit (MCC), i propozuar si pjesë e një serie propozimesh për një kompakt të ri që do të ndihmonte Kosovën në lidhjen me një tubacion ekzistues të transmetimit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot gjatë ditës, përmes një konference për media tha se Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendimin në lidhje me këtë projekt për tubacion të gazit natyror. Kjo pasi sipas Rizvanollit duhet ende qartësim sa i përket financave për projektin.

“Sa i përket ndërtimit të infrastrukturës së gazit ne kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit që është agjension zhvillimor i SHBA-ve, arsyeja është se MCC ka filluar një studimi parafizibiliteti e më pastaj edhe fizibiliteti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë dhe ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë i cili do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Një gjë që është e paqartë është që MCC nuk do të financonte tërë projektin, sepse do të kishim të bëjmë me një investim shumë më të madh nëse do të vendosim për ndërtimin e kësaj infrastrukture”, tha Rizvanolli.

Se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ende vendim për çështjen e projektit të MCC-së për tubacionin e gazit natyror në Kosovë, dhe se diskutimit mes Qeverisë kosovare dhe agjensionit federal amerikan rreth këtij projekti janë duke vazhduar, e ka pohuar pak orë më parë edhe zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Eric Brassil, në një prononcim ekskluziv për Gazetën Online Reporteri.net.

“Diskutimet janë duke vazhduar nëse Qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë propozim”, i tha Gazetës Online Reporteri.net zëdhënësi Brassil, të premten.

Tutje, zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në përgjigjen e tij përmes e-maili, theksoi se nuk ka asnjë projekt të lidhur me qeverinë amerikane në shqyrtim për të sjellë gazin amerikan në Kosovë, siç është aluduar në muajt e fundit.

Ai sqaroi se bëhet fjalë për projektin e MCC-së për lidhjen e Kosovës me tubacionin ekzistues të transmetimit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk ka asnjë projekt në shqyrtim të lidhur me qeverinë amerikane për të sjellë gazin amerikan në Kosovë. Megjithatë, Qeveria e Kosovës dhe Korporata Financiare e Mijëvjeçarit po shqyrtojnë një projekt të propozuar si pjesë e një serie propozimesh për një kompakt të ri që do të ndihmonte Kosovën në lidhjen me një tubacion ekzistues të transmetimit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut. Shumica e financimit, megjithatë, do të vinte nga fondet e BERZH dhe ËBIF. Diskutimet janë duke vazhduar nëse Qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë propozim”, i tha zëdhënësi e Ambasadës së ShBA në Prishtinë, Eric Brassil, ekskluzivisht Gazetës Online Reporteri.net.

Tutje, në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë sqarohet rëndësia që do të kishte projekti i tubacionit amerikan të gazit duke renditur 4 ndikime kryesore në ekonominë e Kosovës.

Në përgjigjen e zëdhënësit Brassil për Gazetën Online Reporteri.net theksohet se infrastruktura jo adekuate energjetike pengon zhvillimin e fuqishëm ekonomik të Kosovës duke përmendur kostot e furnizimit elektrik me qymyr, i cili sipas Ambasadës së ShBA në Prishtinë kufizon konkurrencën.

Ndërkaq, Brassil sqaron se projekti i diskutuar nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës Financiare të Mijëvjeçarit do të ndihmonte në tranzicionin drejt elektricitetit larg nga prodhimi me thëngjill.

“Projektet e propozuara fokusohen në zbutjen e shkaqeve rrënjësore të kufizimit të energjisë në Kosovë, ndërsa sigurojnë ndihmë plotësuese për sektorin e energjisë, si dhe mbështetjen e një tranzicioni të drejtë, larg nga prodhimi i thëngjillit me intensitet të lartë të karbonit. Megjithëse nuk është një kufizim detyrues, mungesa e pjesëmarrjes së grave në ekonomi trajtohet gjithashtu në këto projekte dhe është kritike për aftësinë e grave për të përfituar nga një Marrëveshje MCC”, thotë sqarimi i zëdhënësit Brassil për Gazetën Online Reporteri.net, në lidhje me projektin për tubacionin e gazit natyror.

Përkundër demantimit edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, portali Express të premten në mbrëmje, ka vazhduar të raportojë spekulime se Qeveria e Kosovës ka refuzuar projektin për gazin natyror.

Be the first to comment on "Qeveria: Nuk e kemi refuzuar projektin për tubacionin e gazit natyror në Kosovë"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*