Reuters: Kosova po e paguan shtrenjtë me shëndet energjinë e lirë të qymyrit

Skender Smajli, 64 vjeç, kalon 15 orë në ditë në një tub oksigjeni, për shkak të asaj që mjekët thonë se është sëmundje kronike pulmonare, e shkaktuar nga dekada ekspozim ndaj ndotjes së ajrit të emetuar nga fabrikat e vjetra me qymyr, raporton Reuters.

Smajli jeton në një fshat jashtë qytetit të Obiliqit, shtëpia e dy termocentraleve me qymyr, të fajësuara pjesërisht për emetimet e ngrohjes së planetit, që shkaktojnë ndryshime klimatike – temë e bisedimeve globale COP26 që filluan më 31 tetor, në Glasgoë, Skoci.

Duke kujtuar ditët e tij në punë përpara se të detyrohej të tërhiqej për shkak të aftësisë së kufizuar, Smajli tha se ai dhe kolegët e tij “duhej të pastronin furrat ku digjej qymyri, në temperatura të larta, me shumë pluhur dhe hi”.
Besim Morina, një mjek pulmonolog që ka trajtuar Smajlin, tha se ai ishte diagnostikuar kryesisht me sëmundje pulmonare obstruktive kronike, të clilat vinin si pasojë e punës së tij në termocentralin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

“Shumica e miqve të mi (në uzinë) kanë vdekur prej saj”, tha Smajli, i cili gjithashtu ka sëmundjen e Parkinsonit.

Kosova krenohet me një nga tarifat më të lira të energjisë elektrike në Evropë, me vetëm gjashtë cent për kilovat orë (kWh). Por ambientalistët thonë se kostoja aktuale është shumë më e lartë kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara me qymyr.

Në një raport të vitit 2019, Banka Botërore tha se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.

“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 përqind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 përqind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, tha Haki Jashari, drejtor i shërbimit të ambulancës së qytetit.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështeten shumë te qymyri për energji, por do të duhet ta zvogëlojnë atë varësi në mënyrë dramatike si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian për të cilin Kosova aspiron, raporton Reuters.

Rajoni është i pasur me linjit, një qymyr i butë, përmbajtja relativisht e ulët e energjisë e të cilit përkthehet në ndotje toksike kur digjet. Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë prej 12-14 miliardë tonësh, tregojnë shifrat zyrtare.

Në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian kërkoi që Kosova, e cila prodhon më shumë se 90 për qind të energjisë elektrike në dy termocentralet e Obiliqit, të heqë dorë nga varësia “e furnizimit me energji të rrezikshme për shëndetin” nga qymyri.

Në anën tjetër, ndërmarrja shtetërore KEK, nuk ka dhënë ndonjë koment. Ambientalistët thonë se Kosovës do t’i duhet mbështetje financiare e BE-së për t’u kthyer në energji më të pastër, përcjell Reuters.
“E ardhmja e qymyrit është nën tokë”, tha Besfort Kosova, nga Balkan Green Foundation. “Sipas të dhënave tona, njerëzit (që jetojnë në zona të kontaminuara) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”. /kosovo.energy/

Be the first to comment on "Reuters: Kosova po e paguan shtrenjtë me shëndet energjinë e lirë të qymyrit"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*