Serbë nga Graçanica, Shtërpca dhe Prokuplja po shkojnë në Jarinje, “në mbështetje të barrikadave”

Në ditën e tretë, serbët nga veriu i Kosovës janë ende të mbledhur në barrikadën e vendosur me kamion dhe automjete të ndryshme në afërsi të pikës kufitare Jarinje mes Kosovës dhe Serbisë. Në “mbështetje” të tyre kanë shkuart të mërkurën edhe qytetarët serb nga Graçanica dhe nga Shtërpca.

Ndërsa në orët e vona të së martës, në “mbështetje” kanë shkuar edhe një grup i të rinjve serbë nga qyteti Prokuple i Serbisë transmetojnë mediat serbe.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se “Vëllezërit nga jugu janë me vëllezërit e tyre nga veriu!”, duke shtuar edhe një foto me po të njëjtin mbishkrim.

Barikada u vendos në shenjë proteste nga serbët kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e targave serbe si masë reciprociteti me Serbinë.

Ndërsa përfaqësuesit e Listës Serbe (LS) janë të pranishëm pranë qytetarëve të grumbulluar në barrikadë kinse për mbajtjen nën kontroll të situatës.

Pika kufitare në Jarinje është ende e bllokuar për automjetet sikurse ajo në Bërnjak, ndërsa qytetarët në këto dy pika kufitare mund të qarkullojnë anasjelltas vetëm në këmbë.

Ndërsa është krijuar një kolonë e gjatë e automjeteve, kryesisht kamionëve në pikë kalimin kufitar Mendare.

Ndërsa në Kosovë, masa e reciprocitetit të targave është duke u zbatuar thuhet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Të mërkurën në një konferencë për media Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar serbët të zhbllokojnë rrugët që çojnë në dy pikat kufitare, 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa pati një thirrje edhe për institucionet komunale në veri.

“I ftoj kryetarët e komunave që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga. Ftoj edhe serbët të tërhiqen pasi e kanë bllokuar veten dhe lëvizjen e tyre”, tha Kurti.

Ndërsa kur është pyetur se a do të marr masa ndaj ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, i cili po qëndron së bashku me protestuesit serb në veri, Kurti ka thënë se është në kontakt me ministrin i cili po bënë përpjekje që situata të mos dal nga kontrolli.

“Me aq sa jam informuar unë dhe sa më ka informuar ministri, besoj që është përpjekur që situata të mos eskalojë të mos ketë veprime të dhunshme dhe nuk mendoj se duhet të marrë masa ndaj tij”, tha Kurti.

Be the first to comment on "Serbë nga Graçanica, Shtërpca dhe Prokuplja po shkojnë në Jarinje, “në mbështetje të barrikadave”"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*