Shoferët që ‘dekorojnë’ veturat apo u vendosin xhama të zi, dënohen me kaq para në Kosovë

Personat që vendosin shenja shtesë apo edhe dekorime të ndryshme në veturat e tyre, sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, do të dënohen nga 60 euro deri në 1500 euro.

Shumë shoferë kosovarë në veturat e tyre vendosin xhama të errësuara, derisa edhe për ahengje dekorojnë veturat ku shpesh mbulojnë tabelat e regjistrimit.

Këto sipas Ligjit Nr.05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, janë kundërvajtje dhe gjobiten me para.

Neni 204, saktëson se çfarë ndalohet në vendosjen e shenjave, dekorimeve në veturë.

Pika e parë e këtij neni saktëson se çka ndalohet që të bëjnë shoferët me veturën e tyre.

“1.1. të përdoret mjeti në atë mënyrë që të rrezikojë sigurinë e personave të cilët transportohen në mjet;

1.2. t’i mbulojë dritat apo mekanizmat e tjerë sinjalizues, targat e regjistrimit dhe tabelat apo shenjat e tjera të cilat kërkohen që të jenë të dukshme;

1.3. të vendosë dekorime shtesë në tabela apo në vend të caktuar për targa, përpara dhe prapa, të vendosë shenja, tekste apo objekte që do të mund ta kufizonin leximin e tyre;

1.4. ta vendosë në mjet shenjen e një vendi të huaj;

1.5. të vendosë folie ose ndonjë material tjetër me qëllim të errësimit të xhamave në mjet”, thuhet në këto nënpika të pikës së parë të Nenit 204.

Në pikën dy të këtij neni, ministria e Punëve të Brendshme, me autorizim te veçantë lejon përdorimin e veturave me xhama të errët për mjete të caktuara zyrtare.

Gjithashtu në pikë 3 dhe 4 bëhet e ditur se ndalohet vendosja dhe bartja në mjet e reklamave të cilat e zvogëlojnë sigurinë në trafik, si dhe ndalohet bartja e reklamave pa leje paraprake dhe pa atest nga institucioni përkatës lidhur me këtë çështje.

Lidhur me këto veprime që janë cekur më lartë, dënohen për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i veturës i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Gjithashtu dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) deri në njëmijë e pesëqind (1500)euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi nga paragrafi 5. të këtij neni.

Be the first to comment on "Shoferët që ‘dekorojnë’ veturat apo u vendosin xhama të zi, dënohen me kaq para në Kosovë"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*