Vajza e dëshmorit me interpretim emocional në Ditën e Çlirimit për ish-udhëheqësit e UÇK-së

Për “Ditën e Çlirimit” – 12 Qershorin, vajza e dëshmorit Hysen Zogjani, Arbnore Zogjani, e cila i ka kënduar UÇK-së edhe në të kaluarën, ka lansuar si “Cover” një përpunim dhe interpretim me kitare akustike të këngës “Në Ditën e Flamurit” të Shyhrete Behlulit, e cila u dedikohej të burgosurve shqiptarë që u shkruanin letra urimi nënave të tyre për festën e 28 Nëntorit.

Në përshtatshmëri me realitetin aktual, ku ish-themeluesit dhe ish-udhëheqësit e UÇK-së po mbahen në Hagë, Arbnore Zogjani me një interpretim tejet emocional rikthen në kujtesë mungesën e sivjetme të tyre.

Zogjani thotë se Dita e Çlirimit sivjet është e mangët pa liderët e luftës dhe paqes në Kosovë.

“Veç më kushtoi zemra të këndoj për ta. Dita e Çlirimit sivjet është e mangët pa liderët e luftës dhe paqes në Kosovë. E falënderoj këngëtaren Shyhrete Behluli, e cila më lejoi ta përshtas dhe interpretoj këngën e saj “Në Ditën e Flamurit”. Urime 12 Qershori të gjitha nënave dhe baballarëve të çlirimtarëve. Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë!”, ka shkruar Arbnore Zogjani, vajza e dëshmorit Hysen Zogjani.

Ky është teksti i plotë i këngës “Në Ditën e Flamurit”, të cilën Zogjani e ka përshtatur për 12 Qershorin, “Ditën e Çlirimit”:

“Në Ditën e Çlirimit, në një shpi të vjetër, një nanë kosovare, e kish marrë një letër. Me shkronja të kuqe është mbushë letra e bardhë, nana ime e dashur t’përshëndes me mall! Bëhu nanë e fortë, mos qit lot nga sytë, ma i fortë se burgu është ba djali yt. Edhe pse këtë letër po e shkruj n’errësisë, gëzohem që lexohet n’dritë t’Kosovës t’lirë! A kënduan bilbilat nanë sivjet n’Kosovë? A u ngrit flamuri më 12 qershor? A u vesh rinia oj nanë kuq e zi? A i kish hije shqipes me valu në liri? A krisën me pushkë nanë, krushqit e lirisë? A pat dasëm t’madhe n’zemër të shqiptarisë? A u vunë kunora dëshmorëve në varre? A jehoi n’Kosovë, kanga jonë shqiptare? Deshti Zoti nanë e gjeta një udhë, që kjo copë e letrës ty me t’ardhë në durë. Ngjyra po m’tepron, po s’kam më shumë letër. Veç m’kushtoi nanë zemra, me ta uru festën!”, është teksti i këngës së Shyhrete Behlulit, i adaptuar me lejimin e saj nga këngëtarja e re Arbnore Zogjani.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, së bashku me Salih Mustafën, Pjetër Shalën dhe udhëheqësit e veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, po vazhdojnë të mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë pa u lejuar të vizitohen nga familjarët e tyre.

Be the first to comment on "Vajza e dëshmorit me interpretim emocional në Ditën e Çlirimit për ish-udhëheqësit e UÇK-së"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*